Bsc Programimi për Pajisje Mobile dhe Cloud
Duke i përcjellë trendet aktuale në zhvillimin e teknologjisë informative vërehet një ekspansion i dukshëm i pajisjeve mobile. Këto pajisje kanë krijuar realitete të reja, të cilat karakterizohen me kërkesa globale e lokale për sisteme aplikative. Pos nevojës për njohuri dhe shkathtësi nga Inxhinieria Softuerike, e cila është bazë e të gjitha studimeve në Shkencat Kompjuterike, qëndron konstatimi për nevojën për specializim në lëminë e programimit për pajisje mobile dhe sistemet cloud.
Një pjesë gjithnjë më e madhe e industrisë po zhvillon ose po përcjellë shërbimet e tyre edhe në pajisje mobile, me ç’rast është paraqitur kërkesë e shtuar për ekspertë të zhvillimit dhe bartjes së aplikacionit për pajisjet mobile. Në anën tjetër, sistemet e bazuara në konceptet cloud po shtohen nga dita në ditë. Mundësia e krijimit të aplikacioneve cilësore, të cilat po i kursejnë konsumatorët nga problemet e administrimit, mirëmbajtjes së harduerit e softuerit po bëhen gjithnjë e më atraktive.
Me profilin Programimi për pajisje mobile dhe Cloud, Kolegji Riinvest ofron nënspecializim në drejtim të Inxhinierisë Softuerike për programim dhe zhvillim të aplikacioneve për pajisje mobile në platforma të ndryshme siç janë: WindowsPhone, Android, iOS, etj. Përveç kësaj, studentët do të aftësohen edhe në zhvillimin e aplikacioneve për adaptimin e sistemeve ekzistuese nga ueb dhe desktop në ato mobile. Gjithashtu, studentët do të njoftohen me sistemet cloud, si ndërtohen dhe si zhvillohen ato.
Studentët këtu do të mund të specializohen duke ndjekur ligjëratat dhe njëkohësisht duke zhvilluar projekte reale nga jeta e përditshme, në 50% të lëndëve. Lëndët unike janë: Sistemet Operative për Pajisjet Mobile, Programimi për Pajisjet Mobile dhe Aplikacionet Globale për Cloud. Për më tepër, në lëndët Projekti TI-1, 2 e 3, projektet do të fokusohen në aplikacionet mobile.
Pas diplomimit, studentët do të jenë në gjendje:
-
Ti kuptojnë, vlerësojnë dhe aplikojnë teknikat dhe metodat për ti zgjidhur problemet e ndryshme nga menaxhimi deri te zhvillimi i proceseve të ndryshme informatike
- Të kodojnë programe të ndryshme duke përdorur gjuhë programuese dhe teknika të ndryshme
- Të dizajnojnë arkitekturë ueb – pajisje mobile duke testuar korrektësinë e shfrytëzimit
- Të zhvillojnë softuerë për sisteme interaktive të sigurta
- Të punojnë individualisht apo të jenë pjesë e ekipit.