Profili:BSc Menaxhimi i Rrjeteve dhe Bazave të të Dhënave
Me ngritjen e nivelit të shërbimeve informatike është ngritur nevoja për specialistë të menaxhimit të bazave të të dhënave dhe rrjeteve. Ky profil është konceptuar si nënspecializim i profilit bazik Inxhinieria Softuerike, që është bazë e të gjitha studimeve në shkencat kompjuterike. Nga analiza e vërejtjeve të komunitetit të TIK, është e dukshme kërkesa për specializim të proceseve dhe shkathtësive të administrimit dhe njohjes më të detajuar të bazave të të dhënave. Edhe komuniteti i ndërmarrjeve zhvilluese të softuerëve shpreh interes për njohuri më specialistike pikërisht në dizajnimin dhe realizimin e bazave të të dhënave.
Në anën tjetër, menaxhimi i rrjeteve përfshin disa module specifike në kuadër të lëndëve, siç janë: Dizajnimi i Rrjeteve, Ndërtimi i Rrjeteve, Konfigurimi i Rrjeteve, mbrojtja, analiza e performancës si dhe menaxhimi i rrjetit. Studentët nga aspekti i programimit kryesisht do të koncentrohen në shkrimin e programeve për evaluimin e rrjetit, si dhe do të analizojnë dhe nxjerrin përfundime për përmirësimin e tij. Përveç moduleve të përmendura, në lëndët Projekti TI-1, 2 dhe 3, do të mund të zhvillohen projekte nga industria me fokus në rrjete.
Gjithashtu, studenti thellohet më në detaje në strukturat, procedurat, konceptet dhe administrimin e sistemeve të bazave të të dhënave. Ata do të njoftohen me konceptet e Data Warehousing, Big Data, “Cube” dhe Data Mining.
Modulet si Advanced SQL, administrator i bazës së të dhënave si dhe Data warehouse & Data Mining, janë koncepte të cilat e bëjnë një inxhinier të aftë që të thellohet më detajisht në zgjidhjen e problemeve komplekse nga aspekti i bazës së të dhënave. Gjithashtu, zhvillimi i projekteve në lëndët Projekti TI-1, 2 e 3 do të fokusohet kryesisht kah baza e të dhënave.
Pas diplomimit, studentët do të jenë në gjendje:
- Të dizajnojnë, zhvillojnë, testojnë, implementojnë dhe administrojnë bazën e të dhënave të cilësdo platformë
- T’i analizojnë kërkesat e klientit dhe të zhvillojnë resurse të të dhënave për të ruajtur dhe nxjerrë informatat kritike në kohën më të shkurtër
- Të vlerësojnë baza të të dhënave dhe mbikëqyrin modifikimin e softuerit ekzistues të bazës së të dhënave
- Të punojnë për të gjitha llojet e organizatave me standarde më të larta për të siguruar të dhënat
- Të njohin dhe implementojnë metoda të ndryshme të testimit të softuerit/bazave të të dhënave dhe sigurimin e cilësisë maksimale
- Të njohin, vlerësojnë dhe përdorin gjuhë programore për të mundësuar zhvillimin, testimin e sistemeve të ndryshme informatike
- Të njohin, kuptojnë dhe aplikojnë algoritmet dhe strukturat e të dhënave për të mundësuar realizimin më të suksesshëm të rrjeteve të ndryshme
- Të dizajnojnë, implementojnë, mirëmbajnë rrjetet dhe sistemet e komunikimit të të dhënave, duke përfshirë edhe rrjetet LAN, WAN, extranet-et dhe intranet-et
- T’i testojnë sistemet para implementimit dhe zgjidhjen e problemeve gjatë dhe pas implementimit
- Të punojnë individualisht apo të jenë pjesë e ekipit.