Studentët e Kolegjit Riinvest vazhdojnë të shfrytëzojnë mundësinë e shkëmbimit semestral në universitetet partnere.
Liza Hyseni, studente në programin Menaxhim Biznesi ka përfituar nga mundësia e shkëmbimit semestral në Università Politecnica delle Marche në Ankona të Italisë.
“Përvoja ime gjatë studimit të Analizën Ekonomike për Biznes në Kolegjin Riiinvest ka qenë jashtëzakonisht e vlefshme në përgatitjen time për studimet e mëtutjeshme. Kurrikula është krijuar për t’u dhënë studentëve një kuptim gjithëpërfshirës të parimeve ekonomike dhe se si ato zbatohen në situatat e biznesit në botën reale. Të qenit në vitin e tretë të studimeve më ka lejuar të mësoj më shumë rreth temave të specializuara brenda fushës dhe të fitoj përvojë përmes praktikave dhe mundësive kërkimore.
Kolegji Riinvest më dha mundësinë të përjetoj një shkëmbim semestral në Università Politecnica delle Marche në Ankona të Italisë. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për mua që të njoh një kulturë të re, të mësoj me një grup të ndryshëm njerëzish dhe të fitoj një perspektivë globale.”