BA Menaxhim Biznesi
Profilet:
A jeni kureshtarë që të mësoni se si funksionon bota, si vendosen çmimet, pse disa vende janë më të pasura e disa më të varfra, pse disa marrin paga më të larta e disa më të ulëta, sa vende pune hapen në vit, pse çmimet lëvizin, si krijohen firmat dhe sa prodhojnë ato, si funksionojnë bankat, sa para qarkullojnë në ekonomi, si qarkullojnë mallrat nëpër botë?
Nëse po, atëherë ju definitivisht duhet t’i konsideroni studimet e programit Menaxhim Biznesi në Kolegjin Riinvest.
Çështjet ekonomike që i përmendëm më lart janë gjithmonë prezente në jetën tonë të përditshme, ju vazhdimisht dëgjoni për to, lexoni për to dhe jeni në kontakt me to. Përmes shkencës së ekonomisë, ne ekonomistët mundohemi t’i analizojmë, kuptojmë dhe t’u japim përgjigje apo zgjidhje këtyre pyetjeve/problemeve.
Në vitin e parë, studentët tanë kalojnë nëpër mësime gjenerale të ekonomisë, të cilat krijojnë një bazë të fortë të dijeve ekonomike. Lëndët më të rëndësishme në fillim të studimeve të ekonomisë janë: Mikroekonomia, Makroekonomia, Statistika dhe Matematika.
Konceptet e studiuara në këto katër lëndë do të shfrytëzohen si bazë në të gjitha studimet e mëtutjeshme të ekonomisë dhe menaxhimit.
Në vitin e dytë, dhe posaçërisht në vitin e tretë, studentët tanë do të kenë mundësinë të specializohen në drejtime të ndryshme, sipas dëshirës dhe interesit të tyre. Përvoja jonë me studentët e programit Menaxhim Biznesi na ka treguar se ata shpejt mishërohen me studimin e ekonomisë dhe biznesit në tërësi. Kjo për arsyen se shkenca e ekonomisë është një kombinim perfekt në mes të numrave dhe fjalëve, problemeve konkrete dhe eseve, kalkulimeve dhe interpretimeve. Gjatë studimeve, studentët tanë kanë mundësi të ndërtojnë modele të ndryshme ekonomike dhe t’i testojnë ato, por gjithashtu edhe t’i analizojnë e kritikojnë modelet e ndërtuara deri më tani nga autorë të ndryshëm.
Duke studiuar në programin Menaxhim Biznesi në Kolegjin Riinvest ju do të jeni në gjendje:
- Të adresoni probleme ekonomike lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare
- Të komunikoni çështje komplekse ekonomike në mënyrë efektive
- Të aplikoni metoda kuantitative dhe kualitative në hulumtimet tuaja
- Të analizoni probleme makroekonomike dhe mikroekonomike
- Të hulumtoni dhe të zgjidhni probleme ekonomike e menaxheriale.